top of page

Reflektim nga Romakët 8:18

Updated: May 18

Aty diku, në pikën ku koha veçse më ka shpuar e gjakosur me thumbat e saj të ngjyer në lëngun e ligësisë, e mbushur plot me egoizëm, vetëpërmbushje e çoroditje, me dënesë thirra me plot fuqinë time emrin e Zotit.


Dhe pashë një ËNDËRR.

Në ëndrrën time pashë DETIN- Dallgët e tij me butësi më mbulonin trupin tim duke m’a pastruar gjakun e shtrydhur nga plagët e thumbimeve të ashpra. Atëherë dëgjova një zë të fuqishëm sikur të ishte e mprehur nga vetëtimat e stuhive tërbuese: Unë të pastroj biri im, asnjë njollë gjaku nga plagët e tua nuk është aq e madhe për Mua sa nuk mund ta heq.



foto ilustrative
Ilustrative

Në atë moment ndjeva ERËN- freskia e saj çau përmes kockave të mia e thellë në cepet e errëta të qenies time, në strofullat ku ligësia kishte pjellur dëshpërim e humbje shprese. Ishte aq freskët dhe e mirë, aq e ëmbël dhe e butë, saqë u shtriva në skaj të detit që të marrë më shumë nga kjo ndjesi. Atëherë dëgjova prapë zërin e fuqishëm që më thotë: Biri im, unë kam parë dëshpërimin e lodhjen tënde, prandaj Unë të çlodha.


Ashtu i shtrirë papritmas fillova të dëgjoj disa tinguj të një KËNGE shumë të bukur. Ishte shumë magjepsëse e tërheqëse andaj u ngrita në këmbë për të dëgjuar më mirë. Hodha sytë lart dhe mbeta i shtangur kur qielli u nda në dysh dhe u palos sikur një pëlhurë e mëndafshtë, e nga ajo në një paraqitje spektakulare një mori engjëjsh këndonin atë këngë në një simfoni të përsosur. Prapë zëri i fuqishëm m’u drejtua: Biri im, shiko engjëjt që këndojnë për ty sepse ti thirrur emrin Tim e ke ardhur tek Unë.


Sikur një fëmijë i vogel në prehrin e nënës, fillova të qaj me plot brendësine time nga ky gëzim i papërshkrueshem. Atëherë zëri i fuqishëm erdhi edhe më afër dhe prezenca e Tij më mbështolli tërë qenien time me një dashuri të pakrahasueshme: Shiko nga unë sepse unë jam Perëndia Yt.


Shikova nga Ai dhe për një moment më mori në gjirin e Tij e ashtu i strukur pa pasur forcë për t’a lëshuar, më përqafoi me mall. Atë çast sikur filluam të shkëputeshim nga ai vend dhe të ngjiteshim lart, mbi retë e qiellin e kaltër, mbi atmosferë e drejtë në hapësirë, duke vallëzuar përmes yjeve e duke soditur galaksitë e mrekullitë e universit, vazhdonim duke u ngjitur ende më lart. Perendia më tha: Shih gjitha këto gjëra që kam krijuar, me mua ti do të RRITESH e do të lartësohesh mbi to.


Aty diku përtej universit, në një dimension të përthyer në kohë, arritëm te një LIQE me ujin më të ëmbël që kisha shijuar ndonjëherë. Rreth liqenit pashë një peisazh me mijëra NGJYRA, ngjyrat më të bukura që syri im kishte parë, aq shumë ngjyra kishte sa nuk mund të numëroja. Atëherë Perëndia më tha: Biri im, ky është vendi ynë ku ne do të banojmë në perjetësi. Unë të kam sjellur këtu sepse të dua, sepse ti më përket Mua. Unë ndaj me ty çdo gjë, sepse jemi familje. Sodite këtë vend që kam bërë për ty e ngritu çdo ditë me shpresë në zemrën tënde, mos u ligështo e as mos e humb zjarrin tënd, por jeto për Mua duke duruar vuajtjet e dekurajimet, sepse një ditë tek portat e këtij vendi do të presin engjëjt për të të vënë kurorën e lavdisë.

“Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne.”

Reflektim nga Romakët

Comments


bottom of page