Rreziku i mosbesimit
- Florian Alidemaj
- Jul 7
- 2 min read
Devocion i C. H. Spurgeon

I krishteri nuk duhet të mendojë ose të flasë kurrë lehtë për mosbesimin. Sepse kur një fëmijë i Perëndisë nuk i beson dashurisë së Tij, të vërtetës së Tij, besnikërisë së Tij, kjo është shumë e pakëndshme për Të. Si mund ta trishtojmë ndonjëherë Atë duke dyshuar në hirin e Tij mbështetës?
I krishterë, është në kundërshtim me çdo premtim të Fjalës së çmuar të Perëndisë që ndonjëherë të harrohesh ose të lihesh të humbasësh. Nëse mund të ishte kështu, si mund të ishte i vërtetë Ai që ka thënë: “A mundet një grua të harrojë foshnjën e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut të saj? Edhe sikur ato të të harrojnë, unë nuk do të harroj.” (1)
Cila do të ishte vlera e premtimit—“‘Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria ime nuk do të largohet prej teje as besëlidhja e paqes nuk do të hiqet, thotë Zoti, që ka dhembshuri për ty.”? (2)
Çfarë të vërtete do të kishte në fjalët e Krishtit— “dhe Unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t'i rrëmbejë nga dora Ime. Ati im, që m'i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t'i rrëmbejë nga dora e Atit tim.”? (3)
Çfarë vlere do të kishin doktrinat e hirit? Të gjitha do të hidheshin poshtë nëse një fëmijë i vetëm i Perëndisë do të humbiste. Çfarë vlere mund t’i vihet vërtetësisë së Perëndisë, nderit të Tij, fuqisë së Tij, hirit të Tij, besëlidhjes së Tij, betimit të Tij, nëse ndonjëri prej atyre për të cilët Krishti vdiq dhe që i kanë besuar Atij, do të hidhej tutje?
Dëboni atëherë ato frikëra të mosbesimit, të cilat e çnderojnë Perëndinë. Ngrihuni, shkundeni veten nga pluhuri dhe vishni rrobat tuaja të bukura. Mos harroni, është mëkat të dyshoni në Fjalën e Tij në të cilën Ai ju ka premtuar se nuk do të humbisni kurrë. Le të shprehet jeta e përjetshme brenda jush në gëzim të sigurt.
Ungjilli e mban lart frymën time: Një Perëndi besnik dhe i pandryshueshëm Hedh themelet për shpresën time, Në betime, premtime dhe gjak.
(1) Isaia 49:15
(2) Isaia 54:10
(3) Gjoni 10:28-29
Comments