Bëje trupin tënd mbi rrënjët e tua e mbi tokën tënde!
- Femi Cakolli
- Feb 14
- 2 min read
Updated: May 9

Kjo lloj bime drunjësore nga fotoja quhet herdhia, dhe këtë e mësova nga google. Edhe ju e keni parë besoj tash sidomos kur vërehet haptaz pasi është stinë dimrore. Nga larg mund të kujtosh se në mes të acarit ende druri i ahut është gjelbrosh si në këto pamje. Afrohesh dhe sheh se është diçka tjetër. Është një drunjëz, herdhia, që është kapur për trungun e lisit dhe është ngjitur në maje të tij.

Verë e dimër herdhia ka gjethe të njoma të gjelbër të mbyllur. Po na hyri në punë për dekorim, fantazi. Nuk e dëmton as të ftohtit, as të nxehtit, as shiu, as shtrëngata këtë drunjëz.
Ajo i është ngjeshur si rrumza trungut dhe i shijon lartësitë ama në dëm të ahut. Rrënjët e herdhës janë të cekta dhe aty mbi sipërfaqe të lisit, kurse thumbat e saj, si të shumëkëmbëshit, janë futur rreptë në livore të lisit ku kapet dhe merr ose më saktë thithë jetë. Prej kësaj gjendje nëpër pyjet në Gërmi shoh përplot lisa të tharë.
Kjo pamje na dëfton se edhe në jetën njerëzore kështu janë plot njerëz mes nesh.
Ata duken sikur janë lart e lart!
Duken se rriten fluturimthi.
Gufojnë e zgjaten si në përralla.
Hedhin shtat si në valle!
Duken me plot jetë e siguri.
Duken çdoherë sikur tejkalojnë çdo stinë e çdo furtunë.
Duken nga larg si dikush tjetër që i njohim nga realiteti e kur iu afrohemi na dalin dikush që nuk dimë për ta.
Por, por……
A keni menduar sa jetë jeni duke i tharë në rrethin e juaj?
Sa vetave ua keni marrë lavdinë e sukseset?
Sa veta i keni çorientuar se kush jeni vërtet?
Ashtu si herdhia edhe disa prej nesh janë gati pa rrënjë të veta.
Këta ushqehen ose thithin nga të tjerët e jo vetë.
Këtyre po u hoqe kthetrat, pra kur u heq parazitizmin, ku janë futur bien qafëlak sikur shkesin poshtë rigat e shiut nga retë dhe si era i tund andej e këndej.
Mjaftë më!
Ka ardhur moti koha t’i zgjatosh rrënjët e tua në tokën tënde. Të dalësh në shtëpinë tënde. Të sigurosh vetë! Të ecësh vetë. Të besosh vetë. Të sprovohesh vetë.
Ka ardhur moti koha ta bësh trupin tënd.
Ka ardhur koha moti që t’i zgjerosh degët e tua.
Moti ka ardhur koha që t’i japësh ti vetë frytet e tua.
Moti ka ardhur koha që ti vetë të kontribosh! Nxjerri duart nga xhepat! Zgjohu ti vetë pse me të zgjue tjetri?!
Ka ardhur moti koha që të jesh vërtet bimë e mbjellë nga kopshtari i duhur.
Krishti na kujton: nëse nuk je mbjell nga Ati do të shkulesh; çdo pemë që nuk jep frytin e vet do të pritet e hidhet në zjarr!
Jip fryt dhe bëhu një hije e mirë për tjerët ku do pushojnë e kënaqen. Mos ji sa për flakë zjarri e hi dheu!
Bëje trupin tënd!
Bëji rrënjët e tua!
Bëji farat tua!
Bëji frytat e tua!
Bëje trupin tënd mbi rrënjët e tua e mbi tokën tënde!
Të jesh bimë e mbjellë nga Ati!
Comments